Në fillim të vitit 2019, Women Association of the Kolubara District nga Serbia nisi projektin “Fuqizimi ekonomik i grave në bujqësi”.
“Qëllimi fillestar i projektit ishte të bashkonte 122 fermere nga pesë komunat e distriktit të Kolubaras dhe qyteti i Valjevës, si dhe të organizonte forma të ndryshme programesh arsimore për të përmirësuar punën e tyre,” tha Jelena Ruzic në emër të Women’s Association of the district of Kolubara.
Pandemia e COVID-19 solli një sërë shqetësimesh që kërkonin vëmendje të menjëhershme, si:
- Rënie me 30% e çmimeve të produkteve të qumështit, ndërsa shitjet u rritën me më shumë se 100%;
- Mungesë e shitjeve të bagëtive të planifikuara;
- Probleme me kultivimin e perimeve të reja dhe frutave, të cilat nuk mund të qëndronin gjatë pa u shitur;
- Tregje të mbyllura dhe transport publik i pezulluar
Për të ofruar mbështetjen e nevojshme, platforma e projektit ndryshoi qëllimin e saj, nga bashkimi i fermereve për t’u shitur drejtpërdrejt produktet bujqësore që prodhojnë. “Tani Shoqata është një platformë për shitjen e produkteve vendase nga fermeret e distriktit të Kolubaras. Ato nisën t’i shisnin produktet e tyre, pasi një platformë online mundëson dërgesa të sigurta dhe blerje të drejtpërdrejta. Në platformë, blerësit mund të shohin prodhuesit bujqësorë nga të cilët blejnë”, shpjegon Ruzic. Shitja përmes këtij tregu i ndihmon gratë të vazhdojnë punën në agrobiznes dhe u mundëson familjeve të tyre të fitojnë të ardhura.
Shoqata i shkroi një letër të hapur Ministrit të Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Presidentit të Serbisë, duke kërkuar mbështetje për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia dhe sigurimin e fondeve për të ndihmuar bujqësinë, si dhe sektorë të tjerë të ekonomisë që kanë pësuar humbje të mëdha në Serbi. Letra mori mbështetjen e UN Women në Serbi dhe u bë shumë e dukshme në mediat sociale. Si reagim, Ministria e Bujqësisë krijoi platformën e saj të mbështetjes.
“Fuqizimi ekonomik i grave në bujqësi” është pjesë e projektit “Hapat kyç drejt barazisë gjinore në Serbi”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga UN Women.