Histori

Formësimi i qeverisjes transparente: Si i transformon projekti SPACE komunitetet në Shqipëri

Publikuar fillimisht nga EU TACSO 3, 28 shkurt 2025 (hapet në një skedë të re)

Rows of young people seated at desks in a lecture hall, taking notes

A e dini se si qeverisja juaj vendore planifikon dhe shpenzon paratë që paguani në taksa? A e dini se si vendoset se cilat janë përparësitë? A keni mundësi të shprehni mendimin tuaj për mënyrën se si planifikohet buxheti vjetor i bashkisë? A e dini nëse i përmbushin premtimet?

Falë projektit SPACE, financuar nga BE-ja, qytetarët në të gjithë Shqipërinë po kërkojnë shërbime dhe infrastrukturë më të mira vendore – dhe po i marrin ato.

Në qytetin e Kavajës, 16-vjeçarja Ariana nuk kishte menduar kurrë se si buxhetet publike ndikonin te arsimimi i saj, derisa u bë pjesë e Projektit SPACE. Nëpërmjet nismës “Të rinjtë proaktivë për transparencën në buxhetet e arsimit”, Ariana dhe bashkëmoshatarët e saj u trajnuan për monitorimin e buxhetit dhe advokimin. Me aftësitë e tyre të reja, Ariana dhe ekipi i saj shqyrtuan buxhetin e shkollës dhe zbuluan mangësi në financimin e infrastrukturës thelbësore të shkollës. Ata organizuan dëgjesa publike dhe fushata ndërgjegjësuese, duke angazhuar mbi 1,000 anëtarë të komunitetit. Gjatë dëgjesës, Ariana ua paraqiti me besim kërkesat e nxënësve autoriteteve vendore, duke theksuar nevojën për klasa më të sigurta dhe hapësira më të mira për veprimtari jashtëshkollore.

Zëri i saj u dëgjua. Këshilli vendor u zotua të ndajë fonde shtesë për përmirësimin e kushteve në shkollë në buxhetin e ardhshëm. Ky projekt jo vetëm që i dha Arianës një platformë, por edhe e fuqizoi që të frymëzonte të tjerët. “Tani, unë dhe shokët e shoqet e klasës e dimë se jemi pjesë e zgjidhjes. Duam që shkollat tona të pasqyrojnë ëndrrat tona”, tha Ariana me krenari.

Projekti SPACE, i financuar nga Bashkimi Evropian, zbatohet nga një konsorcium prej katër organizatash: Together for Life (TFL), BIRN Albania, Civil Resistance dhe Destiny Center for Excellence.  Projekti mbështetet në advokimin e bazuar në prova dhe monitorimin e reformave. Qeveritë angazhohen të përmirësojnë kushtet përmes strategjive, si Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë (2021-2030) dhe Strategjia Kombëtare e Arsimit (2021-2026). Thelbi i projektit është mobilizimi i qytetarëve për të monitoruar nëse qeveritë i zbatojnë vërtet premtimet e tyre. Përfshirja e qytetarëve mund t’i ndihmojë edhe qeveritë, sepse qytetarët shpesh e dinë se çfarë mund të bëhet në praktikë.

Alma Lahe, menaxherja e projektit, shpjegoi: “Qëllimi ynë nuk është vetëm të analizojmë të dhënat, por edhe të angazhojmë qytetarët në procesin e monitorimit, për të siguruar që reformat në shëndetësi dhe arsim të ndiqen nga afër dhe që komunitetet e cenueshme të mos mbeten pas. Gjëja kryesore është të hartojmë gjithmonë rekomandime konkrete që mund të sjellin vërtet ndryshim.” Përmes këtyre përpjekjeve monitoruese, Projekti SPACE siguron që qytetarët të kenë një rol të qartë në vlerësimin e suksesit të strategjive kombëtare, duke kontribuar në përmirësimin e politikave si në nivel vendor, ashtu edhe në atë kombëtar.

Grantet e vogla të dhëna nga projekti i ndihmuan vërtet organizatat vendore të sillnin ndryshime në komunitetet e tyre. Për shembull, Fatmira, një nënë 35-vjeçare nga një komunitet rom në zonë rurale, prej vitesh përballej me vështirësi për të pasur qasje në shërbimet shëndetësore për shkak të rrugëve dhe infrastrukturës së dobët. “Ndonjëherë, e çoja djalin në qytet për urgjencë dhe shpenzoja para që nuk i kisha për transportin”, kujtonte Fatmira.

Pasi iu bashkua Grupit të Avokuesve të Komunitetit, ajo mësoi si të ngrinte zërin për nevojat e komunitetit të saj. “Tani ndihem e fuqizuar. Nuk heshtim më. E dimë si t’i kërkojmë shërbimet që meritojnë familjet tona”, tha ajo. Fatmira dhe ekipi i saj ngritën shqetësime për ndotjen e ujit dhe mungesën e personelit mjekësor, çka bëri që autoritetet vendore të ndërmerrnin hapa për përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore.

Projekti SPACE vazhdon të nxisë ndryshime të qëndrueshme përmes nismave në nivel komuniteti dhe përpjekjeve bashkëpunuese. Ndërthurja e fuqizimit, nën-granteve dhe monitorimit të strategjive kombëtare siguron që Projekti SPACE të vazhdojë të ofrojë zgjidhje konkrete për reformën e sektorit publik me ndikim afatgjatë në të gjithë Shqipërinë. Ariana, Fatmira dhe shumë të tjerë kanë treguar se, kur komuniteteve u jepen mjetet për të advokuar dhe për t’u angazhuar, ato bëhen agjentë të fuqishëm të ndryshimit. Suksesi i projektit dëshmon fuqinë transformuese të qeverisjes bashkëpunuese dhe të angazhimit të përbashkët për një të ardhme transparente.

Siç tha Alma: “Duam të krijojmë një kulturë të llogaridhënies së vazhdueshme përmes veprimtarive tona. Nuk bëhet fjalë vetëm për informimin e njerëzve, por për fuqizimin e tyre që të veprojnë.”

Burimi tacso.eu (hapet në një skedë të re)