Në Bitolë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një projekt i vogël solli ndryshime të mëdha, duke treguar se pjesëmarrja e të rinjve si përfitues dhe vendimmarrës ndihmon në ndryshimin e komuniteteve.
Qendra Kulturore Rinore e Bitolës nisi një projekt gjashtëmujor për zbatimin në nivel vendor të ligjit kombëtar për pjesëmarrjen e të rinjve. Ndonëse ligji dukej i përshtatshëm në letër, realiteti ishte ndryshe: më shumë se tri të katërtat e të rinjve në Republikën e Maqedonisë së Veriut pohonin se ndiheshin të përjashtuar nga vendimmarrja.
Projekti synonte ta ngushtonte këtë hendek përmes veprimeve konkrete dhe të përqendruara. Ekipi e dinte se një qendër rinore funksionale kërkonte më shumë se një hapësirë fizike. Nevojiteshin pjesëmarrja e të rinjve, njohja e qendrës nga komuniteti dhe vullneti politik.
Puna nisi me një fushatë krijuese digjitale për ta prezantuar Qendrën Rinore si një hapësirë aktive, të hapur dhe të drejtuar nga të rinjtë. Përmes rrëfimeve në rrjetet sociale, fushata arriti te më shumë se 15 000 të rinj në Bitolë, shumë prej të cilëve nuk kishin dëgjuar më parë për qendrën. Mesazhi ishte i qartë: ky është vendi juaj dhe zëri juaj ka rëndësi.
Më pas u organizuan dy forume rinore, një konsultativ dhe një publik. Dhjetëra të rinj, përfshirë nxënës të shkollave të mesme, të rinj të papunë dhe të rinj në rrezik përjashtimi social, u mblodhën për të hartuar së bashku programin e punës së Qendrës Rinore për vitin 2024. Këto takime u dhanë të rinjve mundësinë të ndikonin drejtpërdrejt në politikat dhe programet që preknin jetën e tyre.
Njëkohësisht, ekipi i projektit përfshiu në këtë proces administratën komunale. Përmes një sërë takimesh dhe trajnimesh të strukturuara, ekipi i ndihmoi zyrtarët vendorë të kuptonin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit kombëtar. Krahas ndërgjegjësimit për detyrimet ligjore, këto veprimtari ndihmuan në ndërtimin e besimit, duke treguar vlerën e një Qendre Rinore funksionale dhe rolin e të rinjve si partnerë në vendimmarrje.
Një zhvillim i rëndësishëm ishte rritja me më shumë se 30% e mbështetjes financiare të komunës për Qendrën Rinore për vitin pasardhës.
“Kemi punuar për zhvillimin e të rinjve për më shumë se dy dekada, por këtë herë pamë ndryshime konkrete”, thotë Aleksandar Todorovski, koordinator i projektit në Qendrën Kulturore Rinore.
“Ne e promovuam ligjin dhe e zbatuam në praktikë. Përmes kësaj pune, treguam se të rinjtë mund të marrin pjesë në drejtimin e përbashkët të komuniteteve të tyre, nëse institucionet janë të gatshme t’i dëgjojnë.”
Megjithëse i vogël për nga përmasat dhe buxheti, projekti dha rezultate që shkuan përtej veprimtarive të tij. Ai forcoi besimin ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve vendore. Gjithashtu, tregoi se hapësirat rinore të vlerësuara, të financuara dhe gjithëpërfshirëse u japin të rinjve mundësi të ushtrojnë role drejtuese.
Për Aleksandarin dhe ekipin e tij, projekti shënoi një ndryshim të rëndësishëm përtej mbështetjes financiare të grantit.
“Qendra jonë rinore u bë më e njohur, më e besuar dhe më aktive. Mbi të gjitha, të rinjtë nisën ta ndienin më shumë si të tyren.”