Njohuri dhe analizë

Vlerësimi i vitit 2025: Raporti për Shqipërinë

Vlerësimi i vitit 2025 konstaton se shoqëria civile në Shqipëri përballet me kufizime praktike në rritje, megjithëse kuadri ligjor mbetet kryesisht i përshtatshëm. Gjatë vitit u miratuan përjashtimi i shumëpritur nga TVSH-ja për projektet e financuara nga donatorët dhe ligji i ri për vullnetarizmin. Ndërkohë, bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile u dobësua, pasi që nga përfundimi i afatit të Udhërrëfyesit të mëparshëm në fund të vitit 2023, nuk ka pasur një strategji bashkëpunimi në fuqi.

Gjetjet kryesore

Mbrojtja nga kërcënimet dhe sulmet u përkeqësua dhe rezultati i përputhshmërisë u ul nga 4 në 3. Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike vazhduan, ndërsa një fushatë e koordinuar dezinformimi vuri në shënjestër organizatat LGBTIQ+ dhe ato për barazinë gjinore rreth miratimit të Ligjit për Barazinë Gjinore në nëntor 2025.

Hyri në fuqi një normë TVSH-je prej 0% për mallrat dhe shërbimet e përdorura në projektet IPA III të BE-së dhe projektet e tjera të financuara nga donatorët, një hap i pritur prej kohësh për qëndrueshmërinë financiare të sektorit. Vetëm 23% e OSHC-ve e vlerësuan financimin publik si transparent dhe të drejtë.

Kufizimet e lidhura me burimet e financimit u rritën në 9% për OSHC-të, nga 1% në vitin 2024, ndërsa kufizimet që lidhen me bankat u rritën në 11%, nga 6%.

Ligji i ri për Vullnetarizmin e njeh vullnetarizmin si përvojë pune, por Shqipëria ende nuk ka një strategji kombëtare për vullnetarizmin, një boshllëk i evidentuar në të katër ciklet e vlerësimit.

Vetëm 4% e OShC-ve morën pjesë në një konsultim që u mundësoi qasje në draft që në fillim dhe të paktën 15 ditë për të dhënë komente. Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile u mblodh një herë në vitin 2025, krahasuar me tri herë në vitin 2024.

Dy të tretat e OSHC-ve (66%) raportuan një bazë të diversifikuar donatorësh, nga 48% në vitin 2024. Numri i punonjësve u rrit, por organizatat me bazë në Tiranë kishin një medianë prej pesë punonjësish me pagesë, krahasuar me 2,5 jashtë kryeqytetit, dhe vetëm 7% e OSHC-ve kishin politika gjithëpërfshirëse për burimet njerëzore.

Shkarko këtë publikim